Nenet në Kodin rrugor për Çiklistët

Neni 3 pika 16

Përkufizimi

KORSI BIÇIKLETASH: pjesë gjatësore e rrugës e kufizuar në mënyrë të përshtatshme, e rezervuar për qarkullimin e biçikletave.

Kujdes: Mjetet motorrike nuk lejohen të përdorin korsitë e biçikletave

Neni 47

Klasifikimi i mjeteve rrugore

Mjetet, sipas qëllimeve të përcaktuara në këtë Kod, klasifikohen si vijon:

a) mjete që lëvizin me forcën e krahut;

b) mjete të tërhequra me kafshë;

c) biçikleta;

Neni 50

Biçikletat

1. Biçikletat janë mjete me dy ose me më shumë rrota që vihen në lëvizje vetëm në sajë të veprimit të muskujve, nëpërmjet pedaleve ose sistemeve të ngjashme dhe që drejtohen nga njerëzit e hipur në to.

2. Biçikletat nuk mund të tejkalojnë 1.30 m gjerësi, 3 m gjatësi dhe 2.20 m lartësi.

Neni 68

Pajisjet e frenimit dhe të sinjalizimit pamor e zanor të biçikletave

1. Biçikletat duhet të jenë të pajisura me rrota pneumatike, si dhe:

a) për frenimin: me sistem të pavarur për çdo aks, që vepron shpejt dhe me efektshmëri në rrotat përkatëse;

b) për sinjalizimin zanor: me një zile;

c) për sinjalizimin pamor: në pjesën e përparme me një dritë të bardhë ose të verdhë, në pjesën e prapme me dritë të kuqe dhe sinjale reflektuese të kuqe; gjithashtu te pedalet duhet të kenë sinjale reflektuese të verdha dhe të tilla, të ngjashme, duhet të ketë edhe anash.

2. Pajisjet e sinjalizimit sipas shkronjës “c” të pikës 1 duhet të mos mungojnë dhe të jenë funksionuese në rastet dhe orët e parashikuara nga neni 150, pika 1.

3. Pajisjet e sinjalizimit të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” të pikës 1, nuk përdoren në biçikletat, kur këto përdoren në garat sportive.

4. Cilido që qarkullon me biçikletë që nuk ka goma pneumatike ose në të cilën, pajisjet e frenimit a të sinjalizimit pamor zanor mungojnë ose nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë nen dhe

në nenin 69, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.

Neni 69

Karakteristikat e pajisjeve të sinjalizimit dhe të frenimit të mjeteve të tërhequra nga kafshët dhe të slitave e biçikletave. Në aktet në zbatim të këtij Kodi, për mjetet e përmendura në nenet 49, 50 dhe 51, janë përcaktuar: numri, ngjyra, karakteristikat dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve të sinjalizimit pamor, karakteristikat dhe mënyrat e përdorimit të pajisjeve të frenimit për mjetet e tërhequra nga kafshët, biçikletat, si dhe karakteristikat e pajisjeve të sinjalizimit zanor të biçikletave.

Neni 139

Shpejtësia

1. Është detyrë e drejtuesit të mjetit të rregullojë shpejtësinë e mjetit në mënyrë që, duke pasur parasysh karakteristikat, gjendjen dhe ngarkesën e mjetit, karakteristikat dhe gjendjen e rrugës, trafikun, si dhe çdo rrethanë tjetër të çfarëdo natyre, të mënjanohet çdo rrezik për sigurinë e njerëzve dhe mallrave dhe çdo shkak tjetër që krijon çrregullime për trafikun.

2. Drejtuesi i mjetit duhet të ruajë gjithmonë kontrollin e mjetit dhe të jetë në gjendje të kryejë të gjitha manovrat e nevojshme në kushte të sigurta, veçanërisht frenimin e menjëhershëm të mjetit brenda kufijve të fushëpamjes dhe përpara çdo pengese të mundshme.

3. Veçanërisht drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa, në afërsi të kryqëzimeve dhe shkollave, ose vendeve të tjera të frekuentuara nga

fëmijët, të treguar me sinjale të caktuara, në pjerrësi të forta, në kalime të ngushta ose të rënduara, në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ose për shkaqe të tjera, gjatë kalimit në zona të banuara ose në pjesë të rrugës, anash të cilave ka ndërtesa.

4. Drejtuesi i mjetit duhet ta zvogëlojë shpejtësinë deri në ndalim afër kalimeve të këmbësorëve dhe në çdo rast kur këmbësorët që ndodhen në rrugë, vonojnë të largohen ose japin shenja hutimi, si dhe

kur me afrimin e mjetit kafshët që gjenden në rrugë japin shenja frikësimi.

5. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të bëjë garë në shpejtësi.

6. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të qarkullojë me shpejtësi të zvogëluar deri në atë masë sa të paraqesë pengesë ose rrezik për qarkullimin normal.

7. Dispozitave të këtij neni i nënshtrohet edhe drejtuesi i biçikletës, i kafshëve tërheqëse, të barrës dhe të shalës.

8. Cilido që shkel dispozitat e pikës 3 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

9. Kur bëhet fjalë për shkelje të kryera nga drejtues mjeti të përmendur në pikën 7, gjoba është nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.

10. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë





Rregullat që duhet të respektojnë Çiklistët

Leave a Reply

Your email address will not be published.